Presidenti Trump inkurajon firmat e huaja të investojnë në SHBA

Në një fjalim të rëndësishëm në takimin e Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, Presidenti amerikan Donald Trump paraqiti vizionin e tij për tregtinë ndërkombëtare duke inkurajuar firmat e huaja të investojnë në Shtetet e Bashkuara.

“Amerika e para nuk do të thotë Amerika vetëm,” argumentoi presidenti Trump para një audience globale të premten.

Presidenti Donald Trump tha se, “Amerika është e hapur për biznes dhe ne jemi sërish konkurrues”. “Ne mbështesim tregtinë e lirë, por ajo duhet të jetë e drejtë dhe duhet të jetë reciproke, sepse në fund tregtia e padrejtë na minon të gjithëve”, tha ai.

Presidenti tha se për të qenë i suksesshëm “nuk mjafton të investosh vetëm në ekonomi. Ne duhet të investojmë tek populli ynë”.

Kur njerëzit harrohen, tha presidenti, bota bëhet e copëtuar. “Vetëm duke dëgjuar dhe duke iu përgjigjur zërave të të harruarve, mund të krijojmë një të ardhme të ndritur që ndahet vërtet nga të gjithë”.