Thaçi: Viti 2018 përcaktues në avancimin e agjendës evropiane për Ballkanin në BE

Kreu i shtetit, Hashim Thaçi, gjatë qëndrimit në Davos të Zvicrës, ka vazhduar takimet me liderët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, në kuadër të sesionit të Forumit Ekonomik Botëror me temë “Përshpejtimi i zhvillimit afatgjatë të Ballkanit Perëndimor”.

Thaçi ka thënë se është biseduar për perspektivën evropiane të rajonit, për bashkëpunimin rajonal dhe për tejkalimin e problemeve politike, si veprime që forcojnë paqen dhe stabilitetin në rajon e më gjerë.

“Fokusi i shtuar në rajon, si rezultat i strategjisë për procesin e zgjerimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor që do të publikohet së shpejti dhe Samitit i ardhshëm i Sofjes e kanë vendosur zgjerimin e Ballkanit Perëndimor si një nga prioritetet kryesore”, ka thënë presidenti Thaçi.

Sipas tij, viti 2018 është përcaktues në avancimin e agjendës evropiane për të gjitha shtetet e rajonit që janë të përkushtuara në procesin e anëtarësimit.

“Pritjet tona janë që kjo strategji të paraqesë një perspektivë të qartë për Kosovën, sepse kjo do të mundësojë zbatimin e reformave dhe përshpejtimin e hapave në procesin e anëtarësimit. Kosova mbetet e përkushtuar për procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në këtë aspekt, është e domosdoshme arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për paqe dhe normalizim”, ka thënë Thaçi.