Connect with us

Aktuale

16 vjeç në burg, Leonardi tregon jetën sipas ligjit të “më të fortit”: Flija gjithmonë me frikë…

Një 16 vjeçar nga Kavaja ka treguar historinë e tij të vështirë, pasi ndonëse në një moshë kaq të re ai ka përjetuar situata shumë të sikletshme nga droga, vjedhja dhe burgu.

Leonardi ka treguar se ka lindur në një familje me probleme ekonomike ku prindërit e tij qëndruan të ndarë për një kohë të gjatë, kohë të cilën i mituri e ka kaluar me gjyshen e tij.

Në rubrikën “Ka një mesazh për ty”, ai tha se sot se ishte vetëm 13 vjeç kur filloi duhanin dhe 14 kur provoi për herë të parë drogën.

I mituri ka treguar se familja nuk mund ta kontrollonte pasi ai kthehej shumë vonë në darkë. Ai përbuzej nga shokët, të cilët e quanin të varfër dhe talleshin me të.

Kështu, Leonardi tregon se donte që ata të fitonin respekt, e në mos respekt të fitonin frikë që të mos talleshin me të.

Ai thotë:

Të gjesh një shoqëri të keqe është 1000 herë më e lehtë se sa të gjesh një shoqëri të mirë. Por unë e kisha ndarë mendjen dhe vetëm diçka e vogël më ndante prej tyre, të bëhesha si ata. Drogën e siguroja nga ata. Ata mund ta blinin nga shokët e tyre, nuk e di ku… Unë u kërkoja para prindërve dhe nuk i shpenzoja për arsyet që ju kisha thënë atyre. Duke qenë se për të siguruar drogën duheshin para, unë iu futa rrugës së vjedhjes. Me një nga këto djemtë e grupit që isha futur unë dhe kishim bërë plan që të futeshim në një dyqan të vidhnim një smartfone. Nuk i mendoja dy herë veprimet që bëja, nuk e ktheja kokën pas. U futëm, e morëm celularin dhe zotëria i dyqanit, më ndoqi nga pas, më tha ndalo. Ai lajmëroi edhe policinë, të cilët më kapën dhe më dërguan në burgun e Kavajës, ku ndenja tre javë.”

Leonardi tregon se kur pa për herë të parë qelinë e burgut mendoi se duhet të kishte qenë në bankat e shkollës dhe jo aty ku është.

Gjithashtu ai ka treguar se në burg funksionon ligji i më të fortit. Dhe “kapoja”i burgut të tij i kishte thënë 16-vjeçarit që duhej t’i bindej, përndryshe nuk do ta kishte të gjatë. Kështu ata e kanë rrahur brutalisht të miturin dhe kështu me ndihmën e avokatit ai arriti të dilte nga burgu duke paguar një shumë parash dhe duke bërë një shërbim publik në Durrës.

Ai tha:

Ashtu funksionon burgu, njëri prej tyre është “kapoja” dhe të tjerët i vijnë nga pas. Unë refuzova që të bëj siç thoshte ai dhe të shihja punën time. Dhe ai më tha: brenda javës ti do vdesësh. Kur e dëgjova këtë gjë në atë moment m’u prenë këmbët dhe duart, por nuk e dhashë veten. Flija gjithmonë me frikë në darkë aty brenda, sepse kisha frikë se shkoja për të fjetur dhe nuk ngrihesha më nga gjumi. Kur zgjohesha në mëngjes mungonin shumë gjëra të miat. Kur dolëm në ajrim, ata kishin bërë një plan, të më vrisnin ose të më rrihnin. Nuk ia arritën dot qëllimit të më vrisnin, kështu që më rrahën brutalisht. Më rrahën në mënyrën më barbare. Unë veprova në mënyrën time, shkova i thashë drejtorit të burgut, që të më largonte nga aty.Gjatë kohës që unë kam qenë në burg, mami im ishte ajo e cila edhe kur më vinte për takim, më thoshte, çfarë është bërë është bërë, le t’i harrojmë të gjitha, por të paktën një herë në jetën tënde, tregohu burrë dhe tregoju të tjerëve që mund të ndryshosh dhe kjo fjalë më ka ngelur në mendje.

Familja ime, nuk ka pse të vuajë për mua, nëna ime s’ka faj që t’i rrijnë sytë me lot. Unë e kam thirrur mamin tim këtu sot, për t’i thënë që unë kam ndryshuar, jam penduar për gabimet. Ajo vuan nga një sëmundje, por kjo s’e pengon që ajo të kërkojë punë për t’i ardhur në ndihmë familjes. Unë kam ardhur t’i them që ka ardhur koha të mos punojë më ajo, tashmë do punoj unë për familjen në vend të saj.”

Mamaja e Leonardit, Fize, një zonjë tepër e çiltër, mirëpriti mesazhin dhe e luti të birin që kësaj here vërtet të ndryshojë.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Copyright © 2018 SdiPress.