“ALBIN KURTI DUHET TË MBAJË PËRGJEGJËSI PËR LARGIMIN NGA UÇK-JA”

Moderatori dhe autori i emisionit “Zona B” në Klan Kosova, Baton Haxhiu ka shkruar sot për personalitetin dhe imazhin e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Ai e ka kritikuar Kurtin për reagimin e tij pas dorëheqjeve në Lëvizjen Vetëvendosje, teksa ka thënë se Kurti duhet të mbajë përgjegjësi për largimin e tij nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës në vitin 1999.

“Me strategjinë e tij të zakonshme të sulmuesit moral dhe psikologjik, Kurti tha se kërcënimi me dorëheqje për të ka qenë shokues, ngaqë nuk mund ta përfytyrojë veten jashtë Lëvizjes Vetëvendosje”, shkruan Haxhiu.

“Mirëpo, vetë Kurti është dorëhequr (nga prania e tij minimale) në UÇK, duke aluduar në gabime politike dhe historike të saj. Nëse dikush duhet të mbajë përgjegjësi morale dhe politike nga dorëheqjet e sotme nga Lëvizja Vetëvendosje, ai duhet retroaktivisht të mbajë përgjegjësi shumë më të madhe morale, politike dhe historike për largimin e tij në rrethana lufte”, vazhdon shkrimi i Haxhiut.

Haxhiu e ka quajtur “politikan arrogant, kalkulues dhe meskin” Albin Kurtin.