Connect with us

Aktuale

KONFIRMOHET AKTAKUZA NDAJ DEPUTETIT RAMIZ KELMENDI

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar aktakuzën ndaj deputetit të Kuvendit të Kosovës. kelmendi është deputet i LDK-së dhe njëherësh pronari i kompanisë “Elkos”. Ai akuzohet për vjedhje të energjisë elektrike.

“Betimi për Drejtësi”, e ka siguruar aktvendimin e kësaj gjykate, e cila më 29 janar të këtij viti, e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e ish-zëvendëskryeministrit të Kosovës, për hudhjen e aktakuzës dhe pushimin e kësaj procedure penale, që e kishte dërguar më 12 dhjetor të vitit 2012.

Në arsyetimin e këtij aktvendimi thuhet se pas analizimit dhe shqyrtimit të shkresave të lëndës, gjykata ka gjetur se kërkesa e të pandehurit Kelmendi në këtë fazë të procedurës penale për hudhje të aktakuzës, nuk mund të aprovohet, për arsye se gjendja faktike për ekzistimin ose jo të veprës penale, do të vërtetohet pas shqyrtimit gjyqësor.

Deputeti i LDK-së, Ramiz Kelmendi, njëherësh pronar i kompanisë “Elkos”, po akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, se gjatë vitit 2011, ka kryer veprën penale “vjedhje e rëndë”.

Konkretisht, ai akuzohet për vjedhje të energjisë elektrike, ku si pronar i kompanisë “Elkos”, sipas prokurorisë, ka dëmtuar Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), në shumën prej 22.801.19 euro.

Prokuroria pretendon se pasi punëtorët e KEK-ut, kanë shkuar në kompaninë e tij, kanë vërejtur se Kelmendi ka shfrytëzuar në mënyrë të paautorizuar energjinë elektrike, duke mos regjistruar dy të tretat e energjisë.

Lidhur me këtë akuzë, ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, të hënën e kësaj jave ishte paraqitur në bankën e të akuzuarve në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Kelmendi, i cili nuk ka pasur avokat mbrojtës, e ka kundërshtuar aktakuzën e prokurorisë, duke u deklaruar se qëndron pranë kundërshtimeve të dorëzuara me shkrim.

“Mbetem në tërësi pranë kundërshtimit dhe nuk kam tjetër çka të shtoj”, kishte thënë shkurtimisht Kelmendi, në seancën e së hënës.

Në kundërshtimet e tij ndaj aktakuzës, Kelmendi kishte theksuar se në të gjitha njësitë punuese të kompanisë së tij që veprojnë në të gjithë territorit e Kosovës, secili përgjigjet për punën e vet.

Ai kishte thënë po ashtu që zyra ligjore e kompanisë së tij, pasi ishte ndarë e pakënaqur me raportin e KEK-ut, ka parashtruar ankesa në shkallën e parë dhe atë të dytë dhe pas refuzimit të parashtresave, sipas tij, ka përmbushur obligimin.

Kelmendi po ashtu kishte theksuar se e gjitha kjo është shkaktuar nga zyrtarët e KEK-ut, të Distriktit në Prishtinë, me qëllim që atij t’i shkaktohet dëm dhe të njolloset emri i tij.

Sipas arsyetimit që ka dhënë, Kelmendi kishte thënë se punëtorët e KEK-ut asnjëherë nuk e kanë kontrolluar transformatorin në prani të personave përgjegjës, por ata i kanë njoftuar personat përgjegjës pas kontrollimit.

Sipas Kelmendit, gjatë periudhës kohore për të cilën prokuroria atë e akuzon se ka keqpërdorur energjinë elektrike, ka theksuar se ka pasur ndërprerjeje të shpeshta të energjisë elektrike dhe pas kyçjeve dhe shkyçjeve të gjeneratorit, ka mundur ta dëmtojë ndonjë përçues, por që dëmtimi ka mundur të mos e ndërpresë energjinë elektrike.

Kundërshtimet e Kelmendit, prokurori Menduhi Kastrati, i kishte vlerësuar të paqëndrueshme dhe kërkoi nga gjykatësi Rrustem Begolli, që të merr aktvendim për refuzimin e tyre.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka pranuar parashtresën e të akuzuarit që ka të bëj me kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hudhjen e aktakuzës. Ne kemi analizuar parashtresën e të akuzuarit dhe në seancën e sotme gojarisht deklarohemi duke e kundërshtuar të njëjtën parashtresë. I akuzuari në parashtresën e tij i ka bashkangjitur disa prova që nuk janë në relevancë, si p.sh ka paraqitur listë me cilën dëshmohet se ka qenë deputet i legjislaturës së 4, pastaj, një kopje të numrit të biznesit, një informacion mbi regjistrimin e biznesit, transaksionet e konsumatorit, të lëshuar nga pala e dëmtuar dhe po ashtu një kontratë pune të një punëtori që punon në kuadër të biznesit të tij”, kishte thënë prokurori Kastrati.

Ai kishte shtuar se nga këto prova konsideron se nuk ka bazë të mjaftueshme që gjykata të veprojë në aprovimin e kërkesës së parashtruar nga i akuzuari.

Prokurori kishte deklaruar se aktakuza ka prova të mjaftueshme të bashkëngjitura që vërtetojnë dyshimin e bazuar, me ç’rast i ka kërkuar gjykatës që të vendos me aktvendim për refuzimin e kërkesës për kundërshtim të provave dh hedhjen e aktakuzës.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 21 dhjetor 2017, i akuzuari Ramiz Kelmendi ishte deklaruar i pafajshëm.

Sipas aktakuzës së 12 dhjetorit 2012, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, Kelmendi akuzohet për veprën penale “vjedhje e rëndë”, për shkak të dyshimit se prej datës së pavërtetuar e deri më 30 qershor 2011, kompania “Elkos”, në Fushë Kosovë, pronë e Kelmendit ka bërë keqpërdorim të energjinë elektrike.

Prokuroria pretendon se kur punëtorët e KEK-ut kanë shkuar për të bërë kontrolle në atë kompani kanë hasur se i pandehuri me qëllim të vjedhjes ka shfrytëzuar në mënyrë të paautorizuar energjinë elektrike, pasi aty janë gjetur dy transformator të rrymës që kanë qenë jashtë matjes, ndërsa një përçues ishte shkëputur nga lidhja.

Në bazë të aktakuzës, me këto veprime, dy të tretat e energjisë elektrike nuk ishte regjistruar, me ç’rast KEK-ut i është shkaktuar dëm në vlerë prej 22.801.19 euro.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *