Lansohet sistemi i ri elektronik i AVUK-ut

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AVUK) lansoi sot sistemin e elektronik të procedurave të punës për shërbimet e AVUK-ut, program i financuar nga USAID-i, i cili ka për qëllim të ulë nivelin e shpenzimeve, dhe përmirëson shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie, tha se sistemi i ri jo vetëm që do të ndikojë në shkurtim të procedurave, por edhe mbron edhe shëndetin e qytetarëve.

“Sistemi i ri elektronik do të mundësojë që Agjencia për Ushqim dhe Veterinari, në mënyrë dramatike të përmirësojë efikasitetin, transparencën, shkurton shpenzimet dhe përmirëson shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve. Ky sistem i ri elektronik është punuar në Kosovë nga ndërmarrja e teknologjisë informative Cactus. Është shumë e qartë që ky sistem jo vetëm që po i thjeshton procedurat e punës po ashtu lehtëson punën e inspektorëve për të ofruar siguri të ushqimit sipas standardeve të BE-së dhe gjeneron të ardhura për Qeverinë. Po çka është edhe më e rëndësishme i mbron konsumatorët kosovarë” ,tha Delawie, transmeton ksp.

Kryeshefi i AVUK-ut, Valdet Gjinovci, tha se ky sistem është krijuar për nevojat e AVUK-ut, pasi para futjes së këtij sistemi të ri elektronik, raportet financiare përgatiteshin dhe dorëzoheshin një herë në muaj dhe nuk ekzistonte një ndërlidhje e aktiviteteve të kontrollit kufitar ndërmjet agjencisë dhe doganës.

“U paraqit nevoja për sistemin më të avancuar të teknologjisë në pikat inspektuese kufitare lidhur me sistemin e raportimit mbi kontrollin, menaxhimin financiar dhe sisteme të ndryshme të kontrollit të ushqimit. AVUK-u si autoritet kompetent për sigurinë e produkteve ushqimore me origjinë shtazore dhe bimore në kontrollin e importit, por edhe të operatorit të biznesit ushqimor, konsideronte se ka lindur nevojë urgjente që të përmirësohen kapacitetet tona në hap me kohën me një sistemi të avancuar të teknologjisë informative. Edhe kësaj radhe falë bashkëpunimit të mirë nga USAID-i, u mbështetë me grantin për vendosjen e sistemit informativ, i cili ishte i domosdoshëm”, tha Gjinovci.