VV NË SKENDERAJ: U VËRTETUA SE LUSHTAKU PO E PENGON JASHARIN

Lëvizja Vetëvendosje dega në Skenderaj, përmes një komunikate për media, duke ju referuar deklaratave të sotme të kryetarit, Bekim Jashari, thonë se Partia Demokratike e Kosovës po e pengon Jasharin në kryerjen e detyrave

“Nëse për asgjë tjetër, për faktin se sot u zbulua një e vërtetë e madhe, ia vlejti mos pjesëmarrja jonë në seancë. Pas 18 vitesh Bekim Jashari deklaroi: “Mua nuk më befason sabotimi i Sami Lushtakut, sepse ai e kishte sabotuar edhe babain dhe axhën tim në luftë.” Po ashtu, u vërtetua edhe deklarimi ynë që nga fillimi i fushatës se PDK po e pengon Bekim Jasharin, edhe këtë të vërtetë z. Jashari e pohoi sot”, thuhet në komunikatë.

VV thonë se Bekim Jashari i kishte ftuar në takim vetëm një herë. Sipas komunikatës, përfaqësuesit e Vetëvendosjes ishin pro takimit, por kryetari insistonte që takimi të mbahej në një ambient të papërshtatshëm për VV-në, si pasojë nuk ndodhi as takimi.

“Arsyeja e mospjesëmarrjes sonë sot në seancë lidhet me faktin se në seancën e kaluar na u ofrua në rend të ditës si informatë çështja e parkut të biznesit. Prapritmas, kjo çështje u shndërrua në “propozim vendim”. Këtë gjë ne e kishim kundërshtuar më anë të një shkrese”.

Me rend dite edhe sot kishte qenë kjo cështje ndërkohë që në komunikatë të VV-së thuhet se do të mund të kalonte në kuvendin komunal neës do tu ofrohej informata.

“Ne nuk e dimë pse tërë kjo ngutje, nuk e dimë pse gjithë ky sulm, kur kjo çështje do të mund të kalohej në seancën e radhës, normalisht duke na dhënë informacionet shtesë që ne kërkojmë dhe që kemi të drejtë t’i dimë e t’i shqyrtojmë, njëjtë edhe qytetarët e Skenderaj dhe opinioni publik në tërësi”.

“Ne kemi të dhëna që po bëhen tepër shumë shkelje e shumë në lidhje me projektin e këtij Parku të Biznesit. Ne nuk duam që edhe kjo të ndodhë në Komunën tonë edhe ashtu të degraduar gati në çdo sektor nga qeverisja komunale. Ne nuk duam të përsëriten uzurpimet e nëpërkëmbjet e qytetarëve tanë të varfër”.

VV thotë se kërkojnë sqarime të hollësishme mbi këtë projekt, “tashmë të dyshimtë”.