Qosja i përgjigjet Thaçit rreth propozimit që Qeveria e Kosovës dhe institucionet përcjellëse të barten në Hajvali

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka dalë me propozim që Qeveria e Kosovës dhe institucionet përcjellëse të barten në Hajvali.

Ndaj këtij propozimi akademiku dhe shkrimtari Rexhep Qosja ka pasur një varg kritikash.

Në një publikim të bërë Qosja ka vënë theks te gjendja e rëndë në vend, të cilën e ilustron me ikjen e të rinjve nga vendi. Ai ka ironizuar duke thënë që politikanët tanë për shkak të punës së madhe meritojnë ndërtesa të tilla si në kohën e sulltanateve.

“Po pajtohem” tani me propozimet që u dhanë prej presidencës dhe prej qeverisë për ndërtimin e objekteve madhështore shtetërore: të Rezidencës presidenciale, të Rezidencës qeveritare, të Rezidencave ministrore, të Rezidencave të ndryshme Kuvendare e të disa rezidencave të tjera në 20 hektarë në Prishtinën e Re afër Hajvalisë!!”, shkruan Qosja.

Reagimi i Rexhep Qosjës, pa ndërhyrje

“Jam pajtuar” me vendimin e kryetarit të atëhershëm të LDK-së, Ibrahim Rugovës, për ndërtimin e Shtëpisë së Bardhë, që do të ishte e ngjashme me Shtëpinë e Bardhë të Josip Broz Titos në Dedinje të Beogradit, apo madje me Shtëpinë e Bardhë të SHBA-ve në Uashington!!!

Gjithashtu “jam pajtuar” me propozimin e kryetarit të dikurshëm të Kuvendit të Kosovës, Nexhat Dacit, për ndërtimin e Rezidencës madhështore në Gërmi për pritjen e delegacioneve të huaja dhe pushimet e zyrtarëve të lartë të Kosovës!!!

“Po pajtohem” tani me propozimet që u dhanë prej presidencës dhe prej qeverisë për ndërtimin e objekteve madhështore shtetërore: të Rezidencës presidenciale, të Rezidencës qeveritare, të Rezidencave ministrore, të Rezidencave të ndryshme Kuvendore e të disa rezidencave të tjera në 20 hektarë në Prishtinën e Re afër Hajvalisë!!!
Mbas të gjitha këtyre pajtimeve “u pajtova” që t’i çojmë në botën e jashtme të gjithë të rinjtë dhe të gjithë të pjekurit që s’kanë mbërrijtur vetë ende të shkojnë, domethënë u pajtova që t’i çojmë në botën e jashtme të gjithë ata që në Kosovë s’kanë me çka të jetojnë dhe të gjithë ata që jetojnë me 1.70 cent në ditë!

Më në fund “u pajtova” që politikën tonë shembullore për integrime euroatlantike ta dëshmojmë konkretisht jo duke sjellë Vlera evropiane në Kosovë, po duke çuar në Evropë pamjet e sulltanateve tona arkitekturore presidenciale, qeveritare e kuvendore!!!

Dhe kështu do dëshmojmë se jemi shteti më i zhvilluar, më i përparuar, më i pasur e më i kulturuar në kontinentin europian dhe në perëndim në përgjithësi.

Dhe kështu do të dëshmojmë se kemi kastën e politikanëve më të ditur, më qartpamës, me demokratë, më europianë, më amerikanë, më perëndimorë të merituar për saraje të tilla sulltanore!!!