Aktuale
Ky është arsyetimi me të cilin suspendohet kirurgu Fekaj, pritet vendimi i Komisionit Disiplinor
Kirurgu Enver Fekaj përkohësisht nuk do të mund ta ushtrojë profesionin e tij prej mjeku në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale në QKUK.
Këtë vendim e ka marrë drejtori i SHSKUK-së, Bastri Sejdiu. Vendimi do të mbetet në fuqi derisa Komisioni Disiplinor të japë mendimin e vet për këtë rast, raporton KTV.
Masat ndaj Fekajt janë marrë pasi që ai refuzoi ta operojë 19-vjeçarin Hysen Ibrahimaj në QKUK, megjithëse i kishte premtuar për një gjë të tillë pas operacionit të parë në spitalin privat.
Në arsyetimin e drejtorit Sejdiu, thuhet se specialistët e punësuar në QKUK, në bazë të ligjit dhe kontratës së punës, janë të obliguar të ofrojnë shërbime profesionale dhe mjekësore bazuar në kapacitetet që i ofron klinika.
Në këtë rast, operacioni i kërkuar është kryer dhe kryhet në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale, ndërkaq kirurgu Enver Fekaj ka refuzuar ta bëjë një gjë të tillë.
Ndërsa për drejtorin e Klinikës së Kirurgjisë Abdominale, Rifat Bajrami, i cili doli në mbrojtje të Fekajt, komisioni nuk ka vendosur ende.
Komisioni Disiplinor i QKUK-së inicioi hetim për mjekun në fjalë, pas raportimit të KTV-së për përjetimet e 19-vjeçarit Hysen Ibrahimaj nga Istogu, të cilin mjeku Fekaj për operacionin e parë në spitalin privat i mori 2 mijë euro.
Por pasi refuzoi që operacionin e dytë ta kryejë në QKUK, ai u fjalos me familjen Ibrahimaj dhe duke u ndjerë i ofenduar, mjeku Fekaj nuk i pranoi më si pacientë.
Fekaj, përveç që nuk pranoi të flasë për KTV-në, i sugjeroi ekipit që të mos merret me rastin e tij fare.
Për këtë rast edhe Policia e Kosovës ka intervistuar disa persona.
