Connect with us

Aktuale

Serbia vazhdon të bllokojë Kosovën

Autoritetet e Serbisë vazhdojnë të kontestojnë pavarësinë e Kosovës, por ato janë deklaruar rrallë me rastin e këtij përvjetori.

Në dallim prej autoriteteve, mediat i kanë kushtuar vëmendje më të madhe këtij përvjetori. Por nëse shikon më vëmendje titujt e gazetave në Beograd, fiton përshtypjen se asgjë nuk ka ndryshuar në 10 vitet e fundit.

Përfaqësuesit e Kosovës dhe analistët shqiptarë flasin për problemet e sovranitetit të pakompletuar dhe mungesën e anëtarësimit në OKB, si sfidat më të mëdha të vendit. Ndërsa serbët në Kosovë e nënvizojnë problemin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, si një domosdoshmëri që duhet të realizohet.

Mungojnë ndryshimet serioze

Në esencë, në raport me Kosovën në Serbi nuk ka ndryshuar gati asgjë në 10 vitet e fundit. Ndërkohë janë arritur disa marrëveshje në Bruksel, të cilat lehtësojnë jetën e qytetarëve të Kosovës, thotë për DW, Naim Leo Beshiri, drejtor ekzekutiv i Institutit për Çështje Evropiane.

“Pajtimi i shqiptarëve dhe serbëve nuk ekziston, mirëbesimi mes Kosovës dhe Serbisë nuk ekziston dhe sikur të mos kishte presion nga Bashkimi Evropian, apo të mos kishte shpërblime eventuale për marrëveshjet, ato nuk do të arriheshin fare. Ndërkohë që problemi më i madh është mungesa e implementimit të marrëveshjeve”, thotë ai.

Politika e Serbisë para dhjetë vitesh nuk ka mundur të shikojë realitetin dhe të shfrytëzojë mundësitë që kanë ekzistuar para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, thotë Dragan Gjukanoviq, nënkryetar i Qendrës për Politikë të Jashtme.

“Më duket se krerët e shtetit para dhjetë vitesh, në radhë të parë ata të Partisë Demokratike të Serbisë, nuk i kanë shfrytëzuar disa shanse dhe kanë mbetur në qëndrime të ngurta, të pa realizueshme. Pasojat e një sjellje të këtillë po i vërejmë edhe sot, ndonëse jemi të vetëdijshëm se në Kosovë, në jug të lumit Ibër, ekziston një sistem krejt tjetër politik, ekonomik, i sigurisë dhe çdo aspekt tjetër“, thotë ai.

Problemet nuk zgjidhen me marrëveshje

Një vendim shumë i rëndësishëm në 10 vitet e fundit ka qenë Marrëveshja e Brukselit, e nënshkruar në vitin 2013. Opinioni i vetëquajtur patriotik dhe opozita në Serbi e ka pritur këtë marrëveshje si një lloj kapitullimi të Serbisë. Ndërsa forcat e tjera politike e shohin këtë Marrëveshje si pasojë të realitetit dhe shohin mundësi për normalizimin e raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës.

Naim Leo Beshiri mendon se as kjo Marrëveshje nuk sinjalizon njohjen e plotë të realitetit, por “kjo marrëveshje i ka kontribuar qetësimit të tensioneve. Marrëveshja ka ruajtur paqen dhe ka stabilizuar rajonin“.

Nga ana tjetër, Dragan Gjukanoviq vëren se esenca e Marrëveshjes së Brukselit nuk është plotësuar “sepse nuk është krijuar asociacioni i komunave me shumicë serbe, që është dakorduar para pesë vitesh. Ky asociacion ka qenë një element shumë i rëndësishëm, sepse ky ka qenë edhe shkaku pse serbët kanë pranuar të futen në sistemin politik dhe juridik të Kosovës“.

Gjatë dhjetë viteve të fundit në Beograd dhe Prishtinë ka pasur faza të ndryshme. Në fillim palët kanë qenë të ngujuara në pozicionet e tyre. Një përparim i vogël është arritur pas fillimit të të ashtuquajturit dialogut teknik, i cili rezultoi me nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit. Ndërsa gjatë këtij viti, apo vitin e ardhshëm, do të duhej të nënshkruhej edhe marrëveshja obliguese për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo është mbase edhe faza më delikate në procesin e zgjidhjes së problemit të Kosovës.

Megjithë optimizmin se kjo marrëveshje mund të sjellë një erë të re në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, Naim Leo Beshiri mendon se ky dokument nuk do të zgjidhë çështjen e Kosovës.

“Mendoj se kjo nuk do të zgjidhë armiqësinë shumë dekadëshe mes Beogradit dhe Prishtinës. Kjo marrëveshje do të kënaqte në radhë të parë Brukselin, ndërsa politikanët në Kosovë dhe Serbi mund të thonë se në këtë mënyrë do të realizojnë disa gjëra me interes për qytetarët e tyre, kur bëhet fjalë për anëtarësim në BE, liberalizimin e vizave apo bashkëpunimin më të mirë ekonomik me BE. Por ky dokument, për të cilin nuk dimë ende se çfarë mund të ketë në brendësi, nuk do të jetë historik apo vendimtar“, pohon ai.

Bllokada në rrugën drejt normalizimit

Dragan Gjukanoviq mendon se dokumenti për normalizimin e raporteve mund të nënshkruhet edhe këtë vit. Disa pjesë përbërëse të tij mund të dihen që tani. Një pyetje shumë e rëndësishme është nëse nënshkrimi i një marrëveshje të këtillë do të thoshte edhe shpallje të zgjedhjeve të reja dhe shpallje e referendumit në Serbi. Gjukanoviq mendon se kjo nuk do të ishte e domosdoshme, “nëse nuk ka ndonjë ndryshim esencial të Kushtetutës”. “Mendoj se kjo marrëveshje do të duhej të ishte një dokument politik, ngjashëm sikur Marrëveshja e Brukselit, e cila mundëson krijimin e kornizës për bashkëpunim dhe nuk obligon njohjen juridike mes këtyre vendeve“.

Naim Leo Beshiri megjithatë mendon se nënshkrimi i një marrëveshje të këtillë për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë do të rezultojë me zgjedhje të reja në Serbi, në pranverën e vitit të ardhshëm, që do të ishte një test shumë i rëndësishëm për Partinë Përparimtare Serbe (SNS)“.

Diplomacia serbe është angazhuar shumë gjatë viteve të fundit që të bllokojë të gjitha përpjekjet e Kosovës për njohjen e shtetit dhe anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Këto aktivitete janë në kundërshtim me pritjet për nënshkrimin e marrëveshjes për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Naim Leo Beshiri thotë se kjo “dëshmon për një kakofoni të vërtetë tek elitat politike serbe. Nuk është e mundur që zyrtarisht të obligohesh se nuk do të bllokosh dike në organizatat ndërkombëtare, ndërsa nga ana tjetër angazhohesh tek të gjitha organizatat ndërkombëtare që të bllokohet anëtarësimi i Kosovës. Këto janë gjëra që nuk shkojnë bashkë“.

Anëtarësimi në OKB?

Opinioni serb është i bindur se marrëveshja për normalizimin e raporteve me Kosovën do të jetë vetëm një lloj manovrimi, me të cilin Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, por do të pranojë që Kosova të ketë ulësen e vet në OKB.

“Nuk shoh ndonjë zgjidhje për anëtarësimin automatik të Kosovës në OKB përmes kësaj marrëveshjeje”, mendon Gjukanoviq.

“Madje edhe sikur Serbia të pranonte një mundësi të këtillë, ky proces duhet të kalojë kornizat institucionale në OKB. Serbia nuk mund t’ia mundësojë Kosovës ulësen në OKB, siç mund të dëgjohet në opinion, sepse ky është një proces që zgjidhet me Kartën dhe Statutin e OKB. Dhe ky problem me siguri që do të rëndojë edhe më shumë arritjen e marrëveshjes për normalizimin e raporteve me Kosovën“, pohon Gjukanoviq.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *