Connect with us

Aktuale

Ish shefi i diplomacisë serbe: Serbisë t’i ofrohet kompensim adekuat për Kosovën

Në Beograd është mbajtur një debat i ri i dialogut të brendshëm lidhur me modalitetet për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, i organizuar nga Fakulteti i Diplomacisë dhe Sigurisë.

Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovë dhe Metohi në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ka thënë se vendimin përfundimtar lidhur me këtë çështje do ta japin qytetarët e Serbisë, e jo fuqitë e mëdha. Ai gjithashtu tha se presidenti serb do të bëjë publik propozimin përfundimtar, atëherë kur dialogu i brendshëm të përfundojë dhe kur të vlerësojë se për këtë çështje është momenti i duhur.

Siç raportojnë mediat serbe, profesorë dhe diplomatë të shquar të mbledhur për të dhënë kontributin e tyre në dialogun e brendshëm për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, më shumë janë marrë me histori sesa kanë propozuar zgjidhje të mundshme.

Ish-Ministri i Punëve të Jashtme të Jugosllavisë, Vladislav Jovanoviq, ka thënë se fuqitë e mëdha duhet të jenë të vetëdijshëm se pa një kompromis me Serbinë nuk ka zgjidhje të çështjes së Kosovës.

“Serbisë duhet t’i ofrohet kompensim adekuat, territorial ose kompensim tjetër. Vetëm atëherë negociatat do të ishin të barabarta. Kjo tash është Serbia kundër të gjithëve dhe shantazh ndaj Serbisë që të pranojë ultimatumet e tyre”, tha Jovanoviq, përcjell Telegrafi.

Ai ka thënë se Serbia, në qoftë se bie dakord të heq dorë nga Kosova për anëtarësim në BE, e humb të drejtën të quhet shtet.

Si zgjidhje e vetme konkrete që u dëgjua në këtë debat, ishte mbajtja e një konference paqeje, garantues të së cilës do të ishin fuqitë e mëdha botërore. Kjo do të nënkuptonte një ridefinim i kufijve, pra ndarjes së Kosovës, apo eventualisht shkëmbim të territorit.

Ndërsa disa janë dakord me këtë propozim, të tjerë paralajmërojnë për pasojat e mundshme nga një opsion i tillë.

Diplomati Zoran Milivojeviq beson se inicimi i konferencës së paqes , vetëm në një rast nuk është i mundur.

“Inicimi i çështjes së kufijve është i pamundur, pa filluar të njëjtën çështje edhe në rastin e vendeve të tjera”, thotë ai.

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë dhe Metohi në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se deri tash kanë marrë shumë propozime për zgjidhjen e problemit të Kosovës.

Ai tha se pikëpamjet dhe propozimet e prezantuara në takimet e deritashme do të merren parasysh kur të propozohet zgjidhja përfundimtare, por nuk tregoi se kur do të ndodhë kjo.

“Ne jemi të bindur se kjo do të bëhet kur të vlerësohet se është koha e duhur për këtë …”, ka thënë Gjuriq.

“Verdiktin për propozimin përfundimtar lidhur me zgjidhjen e çështjes së Kosovës do ta japin qytetarët e Serbisë”, ka thënë Gjuriq, pa konfirmuar nëse ajo do të jetë një deklarim përmes referendumit, apo në ndonjë formë tjetër.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *