Connect with us

Aktuale

Palokaj beson se kosovarët lëvizin pa viza brenda një viti

Augustin Palokaj, korrespodenti i Grupit Koha në Bruksel, është shprehur optimist se kosovarët mund të lëvizin pa viza nga fundi i vitit 2018 ose fillimi i vitit të ardhshëm, nëse në afat të shkurtër kohor ratifikohet demarkacioni me Malin e Zi.

Për Interaktiv të KTV-së, Palokaj ka thënë se nëse Kosova përmbush këtë kusht mbetet të analizohet se a është përmbushur edhe kushti për luftimin e korrupsionit dhe më pas të ndërmerren hapat nga Evropa për liberalizimin e vizave për kosovarët.

“Pas miratimit të demarkacionit do të ketë lëvizje në Bruksel, por kur themi lëvizje duhet të kemi kujdes. Nga Brukseli s’ka asnjëherë garanci, pos kur blini ndonjë televizor në dyqan dhe merrni garancion. Por në procese politike s’ka. Ajo që pritet të ndodhë është një trysni ndaj Bashkimit Evropian që të vazhdojë me procedura. Ato marrin kohë. Besoj se Komisioni Evropian do të jetë miqësor dhe do të bëjë një analizë për përmbushjen e kushtit të dytë, për luftë konkrete ndaj korrupsionit. Varet edhe nga veprimet e gjyqësorit në Kosovë. Komisioni mund të thotë se janë përmbushur dy kushtet. Parlamenti Evropian duhet të miratojë raportin për heqjen e vizave, por duhen 3-4 muaj”, ka thënë ai.

Ai është shprehur optimist se nuk do të ketë pengesë në vota në Parlamentin Evropian, nëse Komisioni e çon tutje. Ai thotë se Gjermania mund të jetë faktor i rëndësishëm për liberalizimin e vizave, sepse me votën e saj do të ndikoheshin edhe shumë shtete skeptike. Ka përmendur Zvicrën si vend që pranon obligimet e Brukselit, por nuk merr pjesë në vendime, e që mund të ketë ndikim. Ka shtuar se Franca mund të ketë hezitime për shkak të numrit të madh të azilkërkuesve nga Shqipëria, por sa i përket Kosovës është shprehur më optimist.

“Ekziston një gatishmëri se duhet t’u japin diçka kosovarëve. Kur dëgjoj se para verës do të udhëtojmë pa viza habitem. Nuk shoh gatishmëri në Bruksel që të veprohet aq shpejtë sa ne mendojmë. Kësaj radhe jam optimist, ndoshta nga fundi i vitit ose fillimi i vitit tjetër, gjithsesi nëse miratohet tash demarkacioni, pasi është bërë kusht. Nëse plotësohet ky kusht është edhe tjetri dhe gjërat do të lëvizin”, është shprehur Palokaj.

Ai ka folur edhe për Strategjinë e Zgjerimit të BE-së, ku ka përmendur se Kosova dallohet nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, të përfshira në strategji.

“Të jemi të sinqertë, dëgjojmë se Kosova ka perspektivë evropiane. Këto janë fjalë filozofike që nuk i gjen në procesin formal. Në atë proces ka hapa: aplikimi për anëtarësim, përpilimi i mendimit të Komisionit Evropian, propozimi i statusit të kandidatit, dhënia e statusit, propozimin për nisjen e negociatave, nisja e negociatave, hapja e kapitujve, mbyllja e kapitujve, mbyllja e negociatave dhe anëtarësimi. Të gjitha këto përmenden për shtetet e rajonit, me përjashtim Kosovën. Për Serbinë e Malin e Zi, si shtete negociuese, përmendet mundësia që deri më 2025 të bëhen anëtare. Për Shqipërinë e Maqedoninë rekomandohet se mund të nisin negociatat. Për Bosnjën thuhet se mund t’i jepet statusi i kandidatit, ndërsa për Kosovën përmendet se mund të përparojë përmes zbatimit të MSA-së dhe mund të përparojë në rrugën evropiane”, ka shtuar ai.

Ai ka shtuar se Kosova për të qenë më formale në këtë aspekt duhet të aplikojë zyrtarisht. Vetëm në rast aplikimi, sipas Palokajt, Kosova mund të shohë në të vërtetë se a konsiderohet shtet nga Evropa apo jo. Palokaj vlerëson se Kosova mund edhe të refuzohet nëse aplikon dhe kjo mbetet sfidë “se a është më mirë të aplikohet e të refuzohemi e të mbesim jashtë për gjatë, apo të reflektojmë e të shohim se ku jemi”.

Për dialogun Kosovë-Serbi, Palokaj thotë se strategjia mund të lexohet si kushtëzim i Serbisë për njohje të Kosovës. Ka shtuar se Evropa synon ta mbyllë vitin tjetër këtë dialog, për shkak se përfundon mandati i Komisionit Evropian, por edhe i Përfaqësueses së Lartë, Federica Mogherini.

“Thuhet se për të avancuar si kusht i ndërmjetëm është arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, ligjore, obliguese për normalizimin e raporteve me Kosovën. Pastaj është arritja e përparimit në zbatimin e asaj marrëveshje dhe më pas implementimi i pakthyeshëm i marrëveshjes. Aty kushtëzohet Serbia. Por kjo s’është e re. Që nga korniza negociuese është përmendur normalizimi gjithëpërfshirës. Lexohet qartë si detyrim i Serbisë për njohje të Kosovës”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Gjermania dhe shtetet tjera të fuqishme janë kundër shkëmbimit të territoreve, madje janë të irrituara me Mogherinin se pse akoma nuk ka dalë publikisht kundër një ideje të tillë.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *