Connect with us

Aktuale

SHBA pret përmbylljen e demarkacionit këtë javë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, pret që Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi të ratifikohet këtë javë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Ambasadori Delawie ka thënë se ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit do të shënojë nisjen e dekadës së dytë të progresit të Kosovës.

“Një fundjavë e pabesueshme. Festimet për përvjetorin e 10-të mund të përfundojnë sot, por ne presim me padurim progresin e dekadës së ardhshme duke filluar nga kjo javë me ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit. SHBA për Kosovën”, ka shkruar Delawie në Twitter, raporton Koha.net.

Kujtojmë se gjatë ditës së sotme, kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se nuk do të ketë seancë për demarkacionin të martën.

Haradinaj ka shtuar se është një temë që ka pritur gati tre vjet e nuk bëhet asgjë nëse pret edhe një javë.

Ai shtoi se duhet të ketë diskutime më të gjithë e jo vetëm me Listën Serbe.

“Marrëveshja bashkë me ligjin duhet të jenë një dokument për votim në Kuvend”, tha Haradinaj.

Ndërkaq, gjatë ditës së nesërme, Qeveria e Kosovës do të mbajë dy mbledhje, ku në rend dite, në mbledhjen e orës 10:00, do të jetë “Miratimi i kërkesës drejtuar Kuvendit të Republikës së Kosovës për tërheqje të Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi”.

Ndërsa, në mbledhjen e orës 16:00, në rend dite do të jetë “Plotësimi dhe ndryshimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit te Zi”.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *