Connect with us

Aktuale

RRËFIMI I JASHTËZAKONSHËM I AKTIVISTIT SERB PËR 10 VJETORIN E PAVARËSISË

Në historinë e Republikës së Kosovës ekzistojnë shumë vite të cilat mund të quhen fillimi i luftës për pavarësinë e shtetit të Kosovës. Këto përpjekje, ky proces i gjatë dhe i dhimbshëm i cili gjatë historisë, sipas rregullit kanë përcjellë pësimet masive të shqiptarëve të Kosovës, këtu nënkuptojmë dhe mendojmë për ta si për çmim të padrejtësisht të lartë të cilin qytetarët e Kosovës kanë qenë të detyruar ta paguajnë në mënyrë që këto ditë mund ta festojnë dekadën e parë të pavarësisë së shtetit të vet.

Mbi shtetin e sotëm, karakteristikat e tij, temat ditore politike dhe ngjarjet momentale shoqërore dhe politike – mbi “situatën momentale në Kosovë” – këtu nuk do të bëhet fjalë. Në vend të kësaj, t’i përkujtojmë disa rrethana të rëndësishme të cilat e krijojnë kontekstin dhe avangardën e ditëlindjes së dhjetë të Republikës së Kosovës.

Të fillojmë me dekadën e parë të shqiptarëve të Kosovës në kohën moderne e cila ka filluar gjatë viteve të 1960’ta, prej nga nisemi nëpër zjarr dhe ferr, dhe arrijmë deri në dekadën e parë të lirisë dhe pavarësisë të cilën shënon Kosova më 17 shkurt 2018.

“Kosova Republikë!”, për herë të parë është dëgjuar nëpër rrugët e qyteteve të Kosovës në fund të nëntorit 1968. Këtë kërkesë atëbotë e kanë brohoritur pjesëtarët e “Grupit 68” të nxitur me ndërprerjen e terrorit të cilin e ka zbatuar Aleksadar Rankoviq. Mirëpo, zyrtarët e atëhershëm të Kosovës këto demonstrata i kanë vlerësuar si të padëshiruara, të rrezikshme dhe antijugosllave, edhe pse me vite para kësaj, me gojë të mbyllur, dhjetëra mijëra shqiptarë nga Kosova janë dëbuar për në Turqi pas presioneve të tmerrshme dhe aksioneve kundër tyre.

Në Serbi së paku, është pranuar mendimi se Kushtetuta e RSFJ-së nga vitin 1974 e ka avancuar statusin e Kosovës dhe praktikisht ia ka dhënë kompetencat të cilat i kanë pasur republikat tjera. Mirëpo, në tekstin e Kushtetutës së Serbisë dhe Kushtetutës së KA të Kosovës nga ajo kohë fshihej një detaj i rëndësishëm i cili ka ndikuar vendosmërisht në të drejtat e shqiptarëve të Kosovës – këto akte më të larta nuk i kanë trajtuar shqiptarët si komb, por si kombësi, me çka iu është hequr “e drejta e çdo populli në vetëvendosje deri në shkëputje”.

“Kosova Republikë!”, herën e ardhshme është dëgjuar nëpër rrugët e Prishtinës në pranverë të vitit 1981. Këtë herë, kërkesën e kanë bërë studentët e Universitetit të Prishtinës, dhe më pas iu bashkangjitur edhe grupet politike. Si edhe në vitin 1968, udhëheqja e Kosovës edhe këto demonstrata të qytetarëve i ka quajtur si “tubime kundërrevolucionare”, por ka pasur edhe deklarata të tilla me të cilat studentët janë quajtur “huliganë”, gjë që ka lehtësuar dhunën ndaj tyre, me të cilën janë mposhtur demonstratat. Ky është edhe një kontribut për tezën se në periudhën deri në fund të viteve 1980-ta, udhëheqja kosovare ishte një armë e dobishme në duart e klikës nacionaliste politike serbe e cila gjatë periudhës së njëjtë i nisi të gjitha kapacitetet e veta me qëllim të shkatërrimit të Jugosllavisë dhe krijimit të Serbisë së Madhe.

Në luftën propagandistike kundër shqiptarëve të Kosovës, në Serbi rolin kryesor e kanë luajtur anëtarët e elitës intelektuale, fetare, mediatike dhe politike serbe të cilët gjatë luftërave agresore të Serbisë kundër republikave tjera të Jugosllavisë u shkrinë në një grup njerëzish, në atë amalgamë të paturpshëm, në të cilën të tjerët u lidhën në atë nyje deri në ditën e sotme. Helmi nacionalist me të cilin filluan t’i dehin qytetarët e Serbisë në fillim të viteve 1980-ta shërben pandryshuar edhe sot, edhe atë nga ana e njerëzve të njëjtë apo të trashëgimtarëve të tyre.

Pra, Serbia e Millosheviqit, deri në mbajtjen e Seancës së famshme të VIII të Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë në vitin 1987 dhe miratimit dhe publikimit të mëparshëm të Memorandumit propagandistik të ASHAS – kur tashmë ishte tepër vonë për paqe – punohej me të madhe në alarmimin e opinionit serb dhe të nxitjes së ndjenjës “mbi rrezikimin e të drejtave të serbëve në Jugosllavi e sidomos në Kosovë” me çka u shkaktua urrejtje ndaj kombeve dhe kombësive të gjithë republikave jugosllave.

Shkurt, të gjithë në këtë apo atë mënyrë na “rrezikonin”, e veçanërisht si kërcënim i rrezikshëm për “substancën serbe” janë konsideruar shqiptarët: “Ajo fundërrinë sociale, politike dhe morale e Ballkanit fisnor dhe barabar”, siç i ka quajtur në vitin 2009 racisti Dobrica Qosiq.

Në një hulumtim të “Ndërgjegjes kombëtare të rinisë” nga viti 1987, autorja Liljana Baqeviq ka konstatuar se për rininë serbe në atë kohë ishte më e pranueshme të martohen me “zezakë” apo “japonezë” se sa me “shqiptarë” apo me “myslimanë”. Gjykuar sipas hulumtimeve të fundit të opinionit publik në Serbi të cilat bëjnë matjen e distancës etnike, situata nuk dallon shumë as sot.

Autonomia e Kosovës është shfuqizuar më 23 mars 1989, pikërisht dhjetë vite para fillimit të bombardimeve të Jugosllavisë nga ana e NATO-s. Atëbotë ushtria dhe policia serbe e rrethuan ndërtesën e Kuvendit të Kosovës në Prishtinë derisa brenda deputetët shqiptarë, të cilët përkundër shumicës në parlament, votuan për shfuqizimi të autonomisë.

Në pranverë të vitit të ardhshëm, në mars dhe prill 1990, Serbia ndërmori masa më konkrete në pastrimin e “fundërrinës morale dhe politike” e cila është në “krahinën jugore serbe”. Atëbotë më shumë se pesë mijë fëmijë shqiptarë në Kosovë u pranuan urgjentisht nëpër spitale për mjekim sepse ishin të helmuar me sarin të gjetur në ushqim të cilin e kishin pranuar nëpër kantina të shkollave. Shqiptarët me arsye besonin se fëmijët ia ka helmuar pushteti serb i cili tashmë ishte vendosur në Kosovë. “Rastësisht”, kah mesi i viteve 1990-ta u zbulua se APJ e Millosheviqit, përveç armatimit tjetër, prodhonte edhe helmin sarin.

Krahas këtyre “aksioneve”, në fillim të viteve të 1990-ta, Serbia tashmë me të madhe kryente luftë propagandistike kundër shqiptarëve, dhe në këtë periudhë shembulli më dramatik është rubrika në gazetën beogradase “Politika” nën emërtimin “Jehonat dhe reagimet”. Sikur të mos e dinim se cila ditë është sot dhe cila datë, këto artikuj për Kosovën dhe shqiptarë nga gjysma e parë e viteve 1990-ta, kishim kujtuar se është përmbajtja e ballinave të sotme të tabloidëve serb. Në “Jehonat dhe reagimet” e para 28 viteve, mbi shqiptarët flitej si për “separatistë dhe terroristë”, “përbindësh dhe fanatikë”, ndërsa për Kosovën si “plagë e Serbisë”, “djep dhe vatër e Serbisë”, “qendër e shtetësisë dhe shpirtit serb”, ndërsa për Serbinë si “viktimë e konspiracionit ndërkombëtar”.

Ju duket e njohur? Këto vende të përgjithshme janë ende prezentë në opinionin serb, në të vërtetë nuk kanë shkuar askund. “Jehonat” dhe pjesët tjerë të makinerisë propagandistike të Millosheviqit edhe sot mediet serbe flasin gati në mënyrë identike mbi Kosovën. Ende është i përditshëm nëpër medie slogani “Kosova është zemra e Serbisë”, të cilin për herë të parë në publik e ka përdor Sllbodan Millosheviq në intervistën për Reuters në vitin 1989.

Të kthehemi për një moment në realitetet shoqërore në Kosovë në fillim të viteve 1990. Pas shpalljes së Kushtetutës së Kosovës në vitin 1990, e cila e definonte Kosovën si shtet i pavarur por në kuadër të Jugosllavisë. Gjatë verës 1990, LDK e Rugovës dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës e shpallën pavarësinë në kuadër të Jugosllavisë. Kjo i shërbeu si shkas Millosheviqit që të nisë më me vendosmëri zbatimin e shtetit represiv në Kosovë dhe Serbia e dërgon gjithë aparatin e dhunës në Kosovë, i shfuqizon ligjet, organet gjyqësore dhe ekzekutive, e merr nën kontroll të gjitha institucionet publike, i mbyll mediet kosovare, fillon me fushatë të dëbimit masive të shqiptarëve nga ndërmarrjet dhe institucionet publike, i përzë nxënësit dhe studentët nga shkolla dhe Universiteti i Kosovës.

Filluan dhjetë vitet më të rënda në historinë moderne të Kosovës. Nxënësit dhe studentë vazhduan mësimin në ilegalitet të thellë, nëpër bodrume dhe fabrika të braktisura, u krijua sistemi paralel në fushat tjera siç janë mediet, shëndetësia dhe kultura.

Si kalonte koha, edhe jeta u bë e padurueshme për shkak të rrahjeve, përdhunimeve, plaçkitjeve dhe vrasjeve rutinë të shqiptarëve, ndërsa rezistenca paqësore e Rugovës fitoi konkurrencë te Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila me luftë guerile kundër policisë dhe ushtrisë serbe luftonte për liri. Në fazën përfundimtare të luftës së Serbisë kundër popullatës kosovare, në periudhë prej dy viteve (1998-1999) në Kosovë u vranë tetë mijë civilë shqiptarë. Në mes tyre janë shumë fëmijë, gra dhe pleq.

Më në fund bashkësia ndërkombëtare, në vitin 1999, vendosi ta ndal Millosheviqin me dhunë dhe filloi fushatën 78 ditësh të bombardimit të Serbisë. Arsyeja për intervenim ishte që më në fund të pamundësohet regjimi i Millosheviqit, që pasi i humbi të gjitha luftërat e mëparshme, pjesërisht t’i realizojë planet e veta duke i shkatërruar shqiptarët e Kosovës. Gjatë bombardimeve kanë kryer krime të tmerrshme të luftës kundër shqiptarëve, vlerësohet se përveç ekzekutimeve masive të civilëve, janë përdhunuar edhe së paku 20 mijë shqiptare, dhe u zbatua dëbimi i më shumë se 860 mijë njerëzve nga Kosova.

Në dhjetë vitet e para të shekullit 21, lajmet për Kosovën edhe më tutje nuk ishin të mira. Edhe pse lufta u ndërpre me kapitullimin e Serbisë dhe tërheqjen e ushtrisë dhe policisë serbe nga Kosova, si dhe krijimin e tampon zonës në mes të viktimave dhe agresorëve me praninë e UNMIK-ut dhe KFOR-it, “çështja e Kosovës” në Serbi edhe nga ana e “pushtetit demokratik pas Millosheviqit” edhe më tutje u vështrua nga pikëpamja nacionaliste, në përpjekje të kthimit të Kosovës në kuadër të Serbisë.

Shkatërrimi i Jugosllavisë përfundoi me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, 28 vite pas pavarësisë së Sllovenisë. Në fazën përfundimtare të shkatërrimit të Jugosllavisë, në vitin 2006, Mali i Zi ishte i fundit i cili u nda nga Serbia, ndërsa Kosova e priste momentin e vet.

Ky moment erdh më 17 shkurt 2008 kur Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë dhe morri njohje ndërkombëtare të “fuqive të mëdha” dhe të numrit të madh të shteteve tjera. Deri tani, Republikën e Kosovës si shtet të pavarur e kanë njohur 60 për qind të anëtareve të Kombeve të Bashkuara apo 115 prej 193 shteteve anëtare të KB. Deklaratën e pavarësisë në vitin 2008 e nënshkroi edhe Vlora Çitaku deputete e atëhershme e Kuvendit të Kosovës, dhe ambasadorja e tanishme e Kosovës në Uashington, e cila kohë më parë përkujtoi në fjalët e Marti Ahtsaari’t: “Kur hajni ju vjedh portofolin, mos kërkoni t’iu kthejë vetëm gjysmën e parave të vjedhura”. Në këtë kontest, ruajtja e Kosovës së pavarur dhe gjithë territorit të saj duhet të jetë prioriteti i gjithëve të cilët dëshirojnë prosperitet të Republikës së Kosovës, por edhe të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Serbia do të duhet të jetë shteti i parë i cili do t’ia urojë Republikës së Kosovës Ditën e Pavarësisë, duke përkujtuar gjithë viktimat për vdekjen dhunshme apo fatkeqësinë jetësore të cilëve është përgjegjëse, por edhe duke u renditur me zë në anën e të gjithë zërave të cilat kontribuojnë për pajtim dhe ardhmëri më të mirë dhe të përbashkët të Kosovës dhe Serbisë në opinionin tonë të helmuar me urrejtje.

Përkundër këtij idealizmi ndoshta naiv, realiteti i ftohët në të cilin jetojmë dëshmon për atë se rrethanat momentale për këtë zhvillim të ngjarjeve janë të pafavorshme sepse në Serbi përsëri sundojnë autokratët, ekstremistët, djathtistët dhe nacionalistët serbomëdhenj.

Mirëpo, ata nuk janë të vetëm në këtë shtet. Ekzistojmë edhe ne. Prandaj ne të tjerët, sidomos njerëzit e rinj duhet t’i marrim obligimet të cilat nënkuptojnë luftën e rëndë kundër prapambeturisë në të cilën kanë marrë pjesë shumica para nesh. Është obligimi ynë njerëzor dhe qytetar të vihemi me gjithë forcat dhe mënyrat e reja kundër këtyre politikave dhe retorikëve të turpshme të cilat njëherë kanë përfunduar me gjak dhe vdekje të qindra mijëra njerëzve në mënyrë që të mos përsëriten rrethanat në të cilat rruga e vetme e mundshme është nëpër ferr nëpër të cilën kanë qenë të detyruar të kalojnë shqiptarët e Kosovës deri në liri dhe pavarësi të shtetit të tyre.

Nuk është e vështirë të jemi më të mirë se përfaqësuesit tanë politikë dhe zëdhënësit e tyre – në të vërtetë a ekziston diçka më e lehtë se kjo?

Për këtë arsye sot nga zemra të dëshirojmë fqinjëve tanë të parë: Gëzuar Ditën e Pavarësisë Kosovë, dhe paç fat!

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *