Connect with us

Aktuale

Lushaku-Sadriu: Na keni marrë tre vite të lëvizjes së lirë, miratojeni demarkacionin

Jehona Lushaku-Sadriu, profesoreshë në departamentin e Shkencave Politike dhe njohëse e proceseve integruese në BE, ka kërkuar nga deputetët që nesër ta votojnë demarkacionin për të mos vazhduar izolimi i qytetarëve të Kosovës.

Ajo thotë se edhe luftimi i korrupsionit është një nga kriteret, por ky kriter do të vazhdojë edhe gjatë rrugëtimit të Kosovës për në BE, por demarkacioni është kushti për liberalizim të vizave, transmeton Koha.net.

“Për deputetët e Kuvendit të Kosovës. Po, për liberalizimin e vizave është kusht edhe ofrimi i dëshmive se institucionet përkatëse e kanë luftuar korrupsionin. Por, ky është kritet që do të mbetet edhe përgjatë gjithë rrugës integruese të Kosovës në BE dhe është i ankoruar si kriter edhe në dokumentet e MSA-së”, ka thënë ajo.

Ajo më tutje shton se BE-ja për liberalizimin e vizave Kosovën e ka kushtëzuar vetëm me demarkacionin, diçka që tashmë është bërë e ditur.

Lushaku-Sadriu kërkon nga deputetët që ta votojnë demarkacionin pasi janë ata që ia kanë vjedhur tri vite të lëvizjes së lirë qytetarëve të Kosovës.

“BE dhe shtetet anëtare marrin vendime me vullnet politik, dhe vullnetin politik për liberalizimin e vizave për Kosovën e kanë kushtëzuar me demarkacionin. Ky mbetet kriteri kushtëzues i BE-së për liberalizimin dhe kjo u është bërë e ditur edhe juve edhe publikut. Prandaj, nesër, duke shpresuar që nuk do të na i përsëritni argumentet e mjegullta të përziera me inate e lufta meskine politike në mes vete, duke shpresuar se jeni koshient që na i keni vjedhur tri vite të jetës sonë pa liri të lëvizjes, duke mos harruar se keni luhatur çdo besim kundrejt obligimit që keni ndaj qytetarëve dhe bashkësisë ndërkombëtare. Miratojeni demarkacionin”, thotë Lushaku-Sadriu.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *