Connect with us

Aktuale

Pacolli pyet pse mos ta marrë kompania e tij tenderin për ndërtimin në Hajvali të objekteve institucionale

00:12 – Në Interaktiv të KTV-së, multimilioneri Behgjet Pacolli ka folur edhe për darkën luksoze në vilën e tij në Hajvali, me ministrat e kabinetit Haradinaj.

“Ishte darkë totalisht e sponsorizuar privatisht. Pa e dëmtuar asnjë cent buxhetin e Kosovës. Një takim i tillë normalisht do t’i kushtonte buxhetit dhe kam mund ta bëja në hotel. Por s’do të ishte efekti i saj. Dyert e mija janë të hapura, është e pamundur të mos gjej mysafirë”, ka thënë ai.

Ka folur edhe për bartjen e institucioneve në Hajvali. Ka shtruar pyetjen se pse nuk do të bënte që kompania e tij të merrte tenderin për të ndërtuar godinat e reja shtetërore.

“Prishtina në këtë mënyrë duhet të lirohet nga të ardhurit që vijnë çdo ditë. Ku vijnë ata? Ata vijnë te institucionet. Duhet të barten le të shkojnë në periferi. Nëntë milionë euro paguhen për qira të objekteve të institucioneve. Ato mund të shfrytëzohen si një kolateral për krijimin e një inxhineringu financiar që mund të financonte ndërtimin e infrastrukturës së re. Kjo është diskutuar”, ka thënë Pacolli.

“Ai që është më i zoti do ta ndërtojë. Në projekte të tilla nëpër botë ftohet kompania ime. Është kompania ime, por menaxhohet prej të tjerëve por nëse garon dhe ofron kushte më të mira pse të mos fitojë. Interesi financiar është minimal në këso rrethana. Nëse ndërtohet një projekt i tillë në Kosovë do të kushtonte 150-200 milionë euro, por i njëjti projekt diku jashtë do të kushtonte katër herë më tepër. Insistoj që edhe Kosova të ketë infrastrukturë dinjitoze”, ka thënë Pacolli.

Pacolli pranon përplasjen me Lekajn, përsërit se autostrada Prishtinë – Gjilan është gabim

00:10 – Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, ka pranuar përplasjen e tij me ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj, për autostradën Prishtinë – Gjilan.

Ai ka thënë në Interaktiv se e konsideron akoma gabim që autostrada të mos kalojë ka Gollaku.

“E kam thënë në publik se është gabim i madh që të devijohet traseja e autostradës. Ajo rrugë që shkon në Mramor e për Gjilan është rruga më logjike që lidh të dy qytetet dhe kostoja më logjike do të ishte zgjerimi i kësaj rruge. Nuk do të kishte nevojë as për blerje të tokave. Ka pak ura që duhet të ndërtohen dhe do ta ruanim ambientin. Në këtë anë ka vargje të fshatrave që mund të kenë qasje në këtë rrugë. Ka qenë edhe nervozizmi im, por më vonë e kam kuptuar që ka qenë projekt i qeverisë së shkuar. Megjithatë mendoj se ai mund të ndalet dhe të bëhet ky projekt”, ka thënë Pacolli.

Ai po ashtu ka thënë se nuk e di si do të përballet me vendasit e tij pasi “qeveria nuk ka fare projekt për Gollakun”. Ka shprehur bindjen se edhe kryeministri Haradinaj tashmë është bindur se kjo autostradë është gabim në disa hapa.

Pacolli thotë se edhe minoritetet duhet të përfaqësohen në ambasadat e Kosovës

00:06 – Duke folur për emërimin e ambasadorëve, ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli ka thënë se ekziston mundësia që të emërohet edhe një ambasador nga minoritetet.

Ai ka thënë se nuk lejon që asnjë presion politik dhe jashtë politikës të ndikojë në caktimin e njerëzve në pozitat e larta diplomatike.

“Nëse do të gjej dikë të AKR-së do ta çoj. Nëse s’e gjej do ta marr edhe të PDK-së, VV-së apo dikujt tjetër. Do të shikojmë edhe mundësinë që edhe minoritetet të jenë të përfaqësuar. Duhet të ndodhë edhe kjo sepse ne jemi vend i njohur për multietnicitet dhe kemi shumë gjuhë, shumë fe e duhet të jetë prezente edhe jashtë”, ka thënë Pacolli.

Haradinaj ishte në disponim të mirë kur pranoi kushtin e LDK-së, thotë Pacolli

Si ditë të rëndomtë pune e ka cilësuar numri dy i Qeverisë së Kosovës, të shtunën e kaluar, kur partitë politike të koalicionit ranë në ujdi për ta pranuar kushtin e LDK-së për votat për demarkacionin me Malin e Zi.

“Ne kaluam më shumë se dy orë me kryeministrin në zyrën e tij duke bë një rivlerësim të punës që kemi bë deri tani dhe pikë kyçe ishte demarkacioni. Mbetëm, diskutuam dhe kryeministri kuptoi se duhet të ecim përpara. Ishte në disponim të mirë. Ne folëm gjatë për këtë temë. Disponimi ishte prezent dhe e bëri të veten. Ne ftuam edhe Veselin që ta definojmë veprimin e mëtutjeshëm dhe kështu kuptova se kryeministri përmbushi kërkesën e LDK-së. Kështu më duket se u zgjodh nyja e madhe. Tani mbetet ta shohim që ky dokument të kalojë, të miratohet në Kuvendin e Kosovës e të ecim përpara”, ka thënë Pacolli, në “Interaktiv” të KTV-së.

“Ka qenë vështirë për Haradinajn ta miratojë një kërkesë të tillë, duke marrë parasysh gjithë situatën e zhvilluar deri atëherë. Por ai tregoi edhe njëherë shumë pozitivitet, përgjegjësi dhe vendosëm të ecim përpara”, ka thënë më tej ai.

Pacolli ka thënë se prej fillimit e ka parë seancën e të mërkurës si një seancë debati, dhe thotë se aty do të ketë shumë debat.

“Do të ketë diskutime të zgjatura. Nuk besoj se dikush ka të drejtë të ndërpret debatin. Të mërkurën kemi edhe një delegacion të lartë të Brukselit dhe do të ishte koincidencë e mirë që të miratohet, por kam frikë se nuk do të ndodhë, por dita do të kalojë me debate, me akuza, kundërakuza. Por kështu e ka demokracia, parlamenti”, ka thënë Pacolli, përcjell Koha.net.

Ai ka thënë se e sheh të arsyeshme që të ndodhë sa më shpejtë ratifikimi i Marrëveshjes.

“80 e më tepër deputetë do ta ratifikojnë këtë marrëveshje. Disa njerëz në VV do të jenë të përgjegjshëm dhe do ta ratifikojnë këtë marrëveshje. Ata që e kanë kuptuar se duhet ratifikuar kjo marrëveshje ndërkombëtare, që tani për tani është mbi kushtetutën e vendit tonë”, ka thënë Pacolli.

Ai ka thënë tutje se ka dy opsione, “ose të ratifikohet të jemi vend i besueshëm, ose të mos ratifikohet dhe të jemi vend i dështuar”.

“Kam folur disa e kuptojnë disa janë kryeneç dhe nuk duan ta ndryshojnë mendimin edhe pse e dinë se duhet ta ndryshojnë. Ka edhe deputetë që duan të përfitojnë duke mbajtur kokëfortësinë. Besoj se Lista Srpska do të jetë bashkëpunuese në këtë drejtim. Ekzistojnë premtime që të përshpejtohet procesi për liberalizim dhe interesimi i BE-së e miqve të Kosovës është tepër i madh që kjo të ndodhë. Besoj se gjatë këtij viti do të përfundojnë të gjitha procedurat dhe kah shtatori-tetori do të jetë e qartë që kosovarët do të marrin vizat. Mund t’i bie fundi i vitit, por edhe më herët”, ka thënë Pacolli.

Pacolli thotë se shumë udhëtime zyrtare i paguan vetë

23:51 – Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka pranuar se një udhëtim vitin e shkuar të një delegacioni kosovar në New York e kishte paguar nga buxheti personal.

Ai thotë se shumicën e udhëtimeve edhe pse zyrtare i paguan vetë, “sepse është mënyra që kam zgjedhur t’i ndihmoj Kosovës”.

“Ishte një delegacion i madh dhe nuk kishin arrit mjetet e MPJ-së që s’do të ishte keq që të mos paguheshin. Nuk jam ankuar askund. Siç e dini rroga ime shkon në fondacion. Rrugët e mija i bëj 90 për qind me aeroplanin tim dhe i paguaj vetë. Më ndihmon të jem në kohë reale çdo ku. Është mënyrë që e kam zgjedhë vetë për t’i ndihmuar Kosovës”, ka thënë ai.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *