Connect with us

Aktuale

Selmanaj: Nëse koalicioni qeverisës nuk i ka votat, nesër të mos mbahet seanca për demarkacionin

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj ka thënë se do të ishte më mirë që nesër të mos mbahet seanca e Kuvendit për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, nëse koalicioni qeverisës nuk i ka votat për ta ratifikuar këtë marrëveshje.

Selmanaj thotë se tani telashet serioze janë me Listën Serbe, gjë që nuk i shërben këtij koalicioni qeverisës që jetëgjatësinë e vet e ka të varur nga votat e Listës Serbe.

Sipas Selmanajt, akoma janë 2-3 vota, ose më shumë që nevojiten për kalimin e demarkacionit, që shfaq se do të ketë shumë telashe serioze që kjo të tejkalohet nesër, përkundër që pritjet janë shumë të mëdha.

Sipas tij nëse nuk janë votat e duhura për ta ratifikuar këtë marrëveshje do të ishte më mirë që të mos mbahej fare kjo seancë, për faktin se nesër pritet që në Kosovë të qëndroi delegacioni i lartë nga Parlamenti Evropian.

“Ndoshta kishë me qenë mirë që as nesër të mos mbahet seanca nëse nuk i kanë votat, ta shtyjnë për ndonjë ditë tjetër. Sidomos në ditën kur Kosova vizitohet nga presidenti i Parlamentit Evropian të BE-së. Sepse çka nëse nuk kalon demarkacionit, pasojat do të ishin të pashpjegueshme”, ka thënë Selmani në emisionin Click në RTV 21.

Selmanaj tha disa fjalë për kryeministrin Ramush Haradinaj dhe veprimet e tij gjatë seancës së kaluar drejtuar LDK-së, ku sipas tij këto nuk ishin veprime prej një politikani, por prej dikujt që ka deficit intelektual e edhe të vlerave njerëzore.

Megjithatë Selmanaj deklaron se të nesërmen kryeministri erdhi në vete dhe pranoi vërejtjet e LDK-së, që sipas tij është një veprim i mirë.

Seanca për ratifikimin e demarkacionit është caktuar të mbahet nesër, ndërsa më herët deputeti i PDK-së, Elmi Reçica ka pranuar se i duhen edhe dy vota koalicionit qeverisës që të ratifikohet marrëveshja e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të zi, në Kuvendin e Kosovës.
Ndërsa Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë sonte se pret që të mërkurën do të votohet Ligji për demarkimin e kufirit me Malin e Zi.

Ai ka deklaruar se beson që deputetët do të jenë të ndërgjegjshëm për kohën e humbur dhe t’i japin drejtim perspektivës europiane të vendit.

“Ne kemi përcaktim të qartë evropian dhe perëndimor. Nesër do ta votojmë demarkacionin, që forcon sovranitetin e vendit dhe i hap perspektivë vendit drejt Bashkimit Europian. Jam shumë i sigurt në reflektimin e të gjithë kolegëve deputetë, veçanërisht sepse nesër do të kemi një vizitë historike, meqë vijnë dy zyrtarë të lartë europianë”, ka thënë Veseli.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *