Connect with us

Aktuale

Vizat japoneze për qytetarët e Kosovës do të jepen në Tiranë

Si hap i parë i takimit të djeshëm midis dy ministrave të jashtëm të Japonisë dhe Kosovës, Taro Konos dhe Behgjet Pacollit në Tokio, menjëherë sot, ka mbërritur nota verbale japoneze me lajmin e mirë për qytetarët e Kosovës.

Japonia pranoi menjëherë kërkesën e ministrit Pacolli, që vizat për kosovarët, që duan të udhëtojnë në Japoni, të jepen pranë Ambasadës së këtij vendi në Tiranë, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Ky është një lehtësim i konsiderueshëm për shtetasit e Kosovës, duke pasur parasysh se deri më tani, vizat për ta jepeshin në ambasadën e Japonisë në Vjenë. Gjatë takimit të djeshëm pala japoneze premtoi se do ta merrte parasysh kërkesën e shefit të diplomacisë së Kosovës për regjim pa viza, në rast se Bashkimi Evropian do t’i heqë vizat për kosovarët në të ardhmen e afërt”, thuhet në komunikatë.

Ndërkohë, dita e dytë e vizitës së ministrit të jashtëm të Kosovës i shoqëruar nga ministri i zhvillimit ekonomik, Valdrin Lluka në Tokio, kishte në fokus bashkëpunimin ekonomik me Japoninë, njërin nga tre vendet më të zhvilluara ekonomike të botës dhe donatorët kryesorë në rrafsh botëror.

“Kështu dy ministrat patën takime me drejtuesit kryesorë të JICA, (Agjencia Japoneze e bashkëpunimit ndërkombëtar), dhe të JBIC (Banka Japoneze e Bashkëpunimit Ndërkombëtar), përkatësisht me Kazuhiko Koshikawa dhe Tadashi Maeda, ministrin e shtetit për financat, Kenichiro Ueno, me Ministrin e ngarkuar për lojërat Tokio Olympic and Paralympic Games Shunichi Suzuki”, thuhet në komunikatë.

Gjatë këtyre takimeve, Pacolli ftoi investitorët japonezë të vinë në Kosovë në vendin e mundësive dhe lehtësive të mëdha për ndërmarrësit, afër tregut evropian prej 500 milionësh.

“Na jeni gjendur në momentet më të vështira duke na ndihmuar. Sot ne duam që kompanitë japoneze në Kosovë të prodhojnë mallrat e tyre, në bashkëpunim me kosovarët”, tha Pacolli.

Ai përsëriti gatishmërinë e qeverisë së Kosovës për themelimin e një zone të lirë ekonomike në dispozicion të ndërmarrësve japonezë. Ministri i jashtëm kërkoi ndihmë prej agjencive ndihmuese japoneze dhe Bankës kryesore të bashkëpunimit ndërkombëtar, asistencë për ngritjen e platformave agroushqimore, të shkollave profesionale cilësorë, etj.

Bashkëbiseduesit e tij japonezë premtuan një nivel të ri bashkëpunimi me Kosovën dhe se do të punonin në drejtimet e sugjeruara. Po ashtu gjatë paradites së sotme, në mjediset e Qendrës Meiji para një mjedisi ndërmarrësish të interesuar për Kosovën, ministri Lluka prezantoi lehtësitë ligjore, financiare, etj dhe ju përgjigj pyetjeve të tyre.
Në mesditë, në praninë e autoriteteve të larta japoneze, miqve të Kosovës në institucionet e këtij vendi, zëvendësministrit të jashtëm Mori, mbi 20 ambasadorëve nga vende të ndryshme dhe që nuk e njohin Kosovën, u organizua një pritje me rastin e dhjetëvjetorit të pavarësisë së vendit.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *