Studentët thonë se politizimi po e dëmton sistemin arsimor (Video)

Të rinjtë thonë se vërehet ndikimi i politikës në sistemin e arsimit, e me raste edhe presioni politik.

Sipas tyre, ky ndikim është i pranishëm si te profesorët, ashtu edhe te studentët, çka po e dëmton sistemin arsimor.

“Sistemi arsimor është i politizuar. Vërehet në kohën e zgjedhjeve, kur profesorët mungojnë bajagi. Ka edhe prej atyre që nuk janë të ndikuar prej kësaj, dhe kjo mua më pëlqen shumë”, thotë studentja Gentiana Beqiraj, për rubrikën “VOX” të Radios Evropa e Lirë.

Në vlerësimet e testit ndërkombëtar PISA, Kosova doli dobët, e së fundi Agjencia e Kosovës për Akreditimit, është përjashtuar nga Regjistri Europian i Cilësisë për Arsimin e Lartë.

“Sistemi arsimor është shumë i politizuar, me vetë faktin se në testin e PISA-s dolëm ndër vendet e fundit dhe kjo tregon për kualitetin e dobët, e kualiteti i dobët vjen nga politizimi, nga keqarsimimi, nga keqqeverisja”, thotë studenti Lirim Gjimi.