Connect with us

Aktuale

VV: Jo demarkacioni, por korrupsioni dhe krimi i organizuar kusht për liberalizimin e vizave

Përfaqësues të Lëvizja Vetëvendosje kanë deklaruar se nuk ka nevojë të ngutemi me miratimin e demarkacionit me Malin e Zi, përderisa Qeveria nuk e ka përmbushur kushtin për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

VV madje ka paralajmëruar se nesër do ta procedojnë në Kuvend Projektligjin konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar.

Anëtarja e VV-së, Albulena Haxhiu ka numëruar disa nga rastet kur sistemi i drejtësisë në Kosovë ka dështuar.

Sipas saj, qeveritë e mëparshme përkundër asaj se kanë thënë se janë zero tolerant ndaj korrupsionit, kjo nuk ka ndodhur.

“Qeveria nuk mund të na hedhë as neve si deputet të VV, as qytetarëve e as BE-së. Raporti është dëshmi se Kosova vazhdon të mbetet ndër vendet më të korruptuara. Edhe raporti i tre ekspertëve të BE-së dëshmon se pako ligjore është jo-adekuate. Raporti përmend mos koordinimin në mes Policisë dhe gjyqësorit. Kosova nuk mund të ecë tutje nëse zyrtarët e saj akuzohen. Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë, andaj qysh nesër do ta procedojmë projektligjin për Konfiskimin e Pasurisë së Paligjshme”, tha ajo, raporton KP.

Sipas saj, ky projektligj do të përforcojë gjyqësorin në Kosovë dhe do të jenë të hapur për shqyrtimin e tij në Kuvend.

“Qysh nesër do të procedojmë edhe interpelancën lidhur me këtë raport të cilin e fsheh edhe ministrja Dhurata Hoxha. Kryetari i VV-së i ka shkruar një letër kryeministrit Haradinaj, ku ka shprehur gatishmërinë. Nuk mund të ketë ratifikim të demarkacionit pa luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Është e papranueshme për ne se si Kuvendi asnjëherë nuk e ka diskutuar këtë raport, i cili ka dëmtuar rëndë interesat strategjike të Kosovës” ,tha Haxhiu.

Kurse, deputetja Fitore Pacolli ka thënë se nuk ka heqje të vizave derisa nuk luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni.

Sipas saj, jemi në prag të raportit, të cilin e dërgon Komisioni Evropian, i cili pritet të mos jetë pozitiv për Kosovën, prandaj nuk duhet të ngutemi për ta votuar demarkacionin, përderisa Qeveria nuk k përmbushur ende kushtin për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Gjasat që liberalizimi i vizave të ndodhë në këtë vitë janë pothuajse zero, prandaj ne kemi kohë t’i përmirësojmë gabimet për demarkacionin dhe ta luftojmë korrupsionin”, tha ajo.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *