Connect with us

Aktuale

Prokuroria autorizon policinë të grumbullojë prova për tre profesorë të UP-së

Prokurori i Departamentit për Krime të Rënda ka kërkuar nga Policia e Kosovës të grumbullojë prova për rastin e tre profesorëve të Universitetit të Prishtinës, të cilët ishin pjesë e Komisionit Recensues të Fakultetit e Shkencave Matematiko-Natyrore, të cilët vlerësuan kandidatët e konkursit të datës 14 janar 2015.

Lajmin për kallxo.com e ka bërë të ditur prokurori i Departamentit për Krime të Rënda, Kujtim Munishi.

“Unë e kam autorizuar Policinë e Kosovës të mbledhë informacione. Në momentin që Policia t’i grumbullojë informacionet, pastaj unë marr një aktvendim për fillim të hetimeve. Në momentin që marr aktvendim për hetime do t’i ftoj anëtarët tre anëtarët e Komisionit Recensues”, tha prokurori Munishi.

Autorizimi i Prokurorisë për të grumbulluar prova nga Policia e Kosovës ka ardhur një vit pasi që kandidati Lulzim Zeneli kishte bërë kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Prishtinës ndaj tre anëtarëve të Komisionit Recensues.

Me këtë kallëzim penal, që ishte dorëzuar më 7 mars 2017, Zeneli kërkonte nga Prokuroria të fillojë hetime ndaj tre anëtarëve të Komisionit Recensues për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

“Me këtë veprim të pandehurit e lartcekur kanë lajthitur Departamentin e Kimisë dhe Këshillin Shkencor – Mësimor të FShMN-së duke e votuar raportin e Komisionit Recensuese dhe duke i besuar kompetentëve (të pandehurve) ku shihet qartë se përgjegjës kryesor duke e shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim që të përfitojë kandidati tjetër, duke i shkaktuar dëm dhe diskreditim kandidatit Lulzim Zeneli kanë kryer veprën penale: Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në kallëzimin penal të ushtruar nga Lulzim Zeneli.

Në mars të vitit 2017 ishin zbuluar parregullsi në konkursin për profesor asistent në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore. Konkursi ishte hapur për lëndët Biokimi, Stereokimi dhe Metabolizmi i biomolekulave.

Gazeta kishte gjetur se Komisioni Recensues, që përbëhej prej tre profesorëve të FShMN-së, kishte vlerësuar se kandidati Lulzim Zeneli i plotëson kushtet për profesor asistent por në fund kishin propozuar për t’u zgjedhur një kandidat tjetër, i cili nuk kishte asnjë punim shkencor me impakt faktor ashtu siç e kërkonte Statuti i Universitetit të Prishtinës.

Propozimi i Komisionit Recensues ishte kthyer edhe nga Senati i UP-së me arsyetimin se kandidati i propozuar nuk i plotësonte kriteret e konkursit.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *