Connect with us

Aktuale

Kusari: 10 euro për 10 vjet shtet, ‘talli’ i Rrugës së Kombit

Çmimi i lartë i taksës në Rrugën e Kombit, ka ngjallur debat në Kosovë. Zyrtarë të Kosovës, kanë reaguar duke e cilësuar si një vendim jo të mençur e të dëmshëm nga qeveria shqiptare.

Deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari – Lila ka komentuar caktimin e taksës në Rrugën e Kombit nga ana e qeverisë shqiptare.

Përmes një postimi në Facebook ajo ka thënë se kjo taksë i zhveshë të dy qeveritë nga pretendimet se po punojnë në mbledhje të përbashkëta për të përafruar dallimet mes shteteve.

Më poshtë mund ta lexoni shkrimin e saj të plotë:

10€ për 10 vjet shtet – “Talli” i rrugës së Kombit

10€ pagesë për vajtje ardhje në rrugën e kombit zhveshën dy qeveritë nga pretendimet se po punojmë në mbledhje të përbashkëta të Qeverive për të përafruar dallimet në mes dy shteteve.

10€ për një makinë deri në 3.5 t absurd shqiptar andej kufirit. Ende më keq, tanimë kur Ministri i Infrastrukturës së Kosovës deklarohet se, nuk e kanë ditur për këtë shumë dhe për këtë punë?!?!

Por, çka kanë biseduar ministrat e infrastrukturës sa ishin bashkë në mbledhje të dy qeverive?!

Tre zv/Ministrat kosovarë në qeverinë e Shqipërisë, përfshirë, zv/ministrin e turizmit, u konsultuan sado pak për këtë pikë, apo nuk janë për t’u konsultuar aty?!

Kosovarët janë jashtë çdo kategorie vizitorët më të shumtë të shtetit amë, ndaj me këtë taksë rrugore, a po pretendohet të ulet numri i tyre apo si është puna?!

Sa për ilustrim, në qershor të Vitit 2017 nga 437 mijë e 820 turistë që vizituan Shqipërinë, 31% erdhën nga Kosova, që do të thotë 135,724 turistë erdhën nga Kosova për një muaj vere. Të gjithë këta do të shpenzojnë së paku 30-fishin e taksës prej 10 €, andaj çfarë po synon shteti shqiptar të arrijë me këtë taksë tani?! Apo, preferon më tepër turistët që do të vijnë me avion dhe anije dhe do të shpenzojnë dy-tre fish më tepër se kosovarët.

Neve shqiptarëve, kur nuk na pengojnë Serbët në integrim, sikur me autostradën energjetike (linjën 400 kV), ne pengojmë njëri tjetrin me talle të autostradës rrugore.

Çfarë kalkulimi u përdor për të nxjerrë këtë shifër? A e dijnë autoritetet e Shqipërisë që pagesat vjetore për shfrytëzim të autostradave evropiane nuk kalojnë 200 € (shih vegëzën e bashkangjitur)? Cili është motivi dhe cilat janë pritjet nga kjo tarifë?!

Shumë më mirë do të ishte të kishte folur Kryeministri i Shqipërisë për këtë pagesë në 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, sesa që lundroi në imagjinatën e vet dhe foli për President të përbashkët në mes të dy shteteve.

Ndoshta Shqipëria e liruar se po ecim drejt liberalizimit të vizave, dëshiron të na ndihmojë të gjejmë rrugët për në Evropë, ndërsa Evropianët t’i lëmë të vijnë në Shqipëri. Arsyetim tjetër nuk më vie në mend për këtë tarifë për autostradën e papërfunduar.

Lëre më, që ana Kosovare ende nuk e i ka vendosur tarifat e veta.

Nëse mund të ketë absurd të kësaj pranvere, atëherë ky është absurdi më i madh.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *