Connect with us

Aktuale

Qeveria e kënaqur: Raporti i Progresit, më pozitivi që ka pasur Kosova viteve të fundit

Qeveria e Kosovës ka dalë me një deklaratë për Raportin e rregullt të BE-së për Republikën e Kosovës, i publikuar sot para opinionit të gjerë, duke thënë se e ka analizuar këtë dokument dhe se ka konstatuar se ky është raporti më pozitiv që ka pas Kosova në vitet e fundit.

Qeveria thotë se “raporti në fjalë reflekton stadin e vendit tonë në raport me anëtarësimin e plotë të Kosovës në BE. Në këtë kontekst, raporti është tregues se në tërësi Kosova ka tepër punë për të bërë deri tek anëtarsimi i plotë kurse në veçanti reflekton punën e madhe dhe progresin e madh që është arritur në vitin e fundit”.

“Ky raport është raporti më pozitiv që ka pas Kosova në vitet e fundit, qoftë sa i përket të arriturave konkrete, e qoftë trendeve në funksion të avancimit të proceseve”, thuhet në deklaratën e Qeverisë së Kosovës, përcejll Telegrafi.

Qeveria thotë se është raportuar progres në:

Sundim të ligjit dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, veçanërisht në shënjestrimin e rasteve të nivelit të lartë të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Progres shënohet gjithshtu në sekuestrimin e aseteve dhe në masat për parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit.

Rezultate shumë të mira në fushën e zhvillimit ekonomik,

Votimi në Kuvend i Ligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare për demarkacionin e kufirit me Republikën e Malit të Zi;

Përgatitjet në Reformën e Administratës Publike dhe fillimin e reformave në administratën publike

Përpjekjet për normalizim të marrëdhënieve dhe rifillimi i dialogut me Serbinë;

Integrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në sistemin e drejtësisë së Kosovës, vlerësohet si arritje shumë e madhe e vitit 2017;

Progres në menaxhimin e migrimit të rregullt dhe atë ilegal, si dhe shumë fusha tjera.

Më tej Qeveria thotë se “Kosova nuk ka dilema për rrugën e saj drejt BE-së, përkundër faktit që në BE janë të ndarë sa i përket integrimit të Kosovës në familjen evropiane. Progresi i përmendur në këtë raport është dëshmi e qartë se të gjitha kriteret për liberalizim të vizave janë përmbushur”.

“Pavarësisht se raporti i progresit nuk është mekanizmi përkatës për vlerësim të plotësimit final të kritereve, vonesat në liberalizimin e vizave nuk munden më të arsyetohen me mos plotësim kriteresh. Kosova e ka kryer punën e vet. Me të drejtë Kosova pret që BE tash të njohë këtë progres dhe mekanizmat relevantë të japin dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave sa më shpejtë që të jetë e mundur.

“Pavarësisht kësaj, ne na presin sfida të tjera të mëdha për të përmirësuar jetën e qytetarit të vendit, na presin shumë punë, për të cilat Qeveria e vendit është e përkushtuar t’i kryej, konform aspiratave tona, të një shoqërie demokratike dhe të integruar. Sfidat e përmendura në raport, Qeveria e Kosovës do t’i identifikojë dhe do të punojë që këto të tejkalohen sa më shpejtë që të jetë e mundur”, thuhet në deklaratën e Qeverisë.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *