Xhaka dëshiron ta fitojnë Ligën e Evropës për Wengerin

Mesfushori i Arsenalit, Granit Xhaka dëshiron të fitojë Ligën e Evropës, kështu që Arsene Wenger mund të largohet me një trofe të madh.

Wenger njoftoi të premten se do të largohet nga Arsenali në fund të sezonit pas 22 vitesh si menaxher i klubit të madh londinez.

Topçinjtë do të luajnë ndaj Atletico Madridit në gjysmëfinale të Ligës së Evropës, me ndeshjen e parë të enjten dhe Xhaka beson se suksesi në këtë garë do të ishte dhurata e përsosur për menaxherin legjendar të klubit.

“Ne kemi një muaj së bashku tani dhe ne duam t’i japim atij diçka të veçantë në këtë muaj”, ka thënë fillimisht Xhaka.

Wenger dhe Xhaka kanë marrëdhënie të mirë mes vete (Getty Images)

“Ne duam të fitojmë trofeun e Ligës së Evropës për të, për ne, për tifozët”.

“Të gjithë e dinë se çfarë ka bërë për 22 vjet për Arsenalin”.

“Ne e dimë si lojtarë nëse kemi rezultate të mira, atëherë askush nuk flet për trajnerin, por ky është futbolli, kjo është jeta, ne duhet ta pranojmë atë duke shkuar përpara”, përfundoi mesfushori me prejardhje shqiptare.
Ndryshe, Xhaka është njëri nga lojtarët më të shtrenjtë të blerë nën epokën Wenger, pasi erdhi nga Borussia Monchengladbah për 35 milionë funte.