Connect with us

Aktuale

Përfundon testimi i nxënësve për PISA 2018

Testimi ndërkombëtar PISA ka përfunduar sot, ku komuna e fundit që i është nënshtruar këtij testimi ka qenë ajo e Drenasit. Këtë e ka bërë të ditur ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi gjatë vizitës që i ka bërë shkollës së mesme të lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Drenas.

Testimi ndërkombëtar PISA ishte paraparë të zgjaste deri më 5 maj, por sipas ministrit Bytyqi ka përfunduar sot pasi nuk ka pasur përsëritje të testit në asnjë shkollë dhe se mbarëvajtja e testimit ka shkuar shumë mirë.

“Këtu në Drenas po përfundohet testi PISA, nga informacionet që ne i kemi nga terreni në të gjitha komunat ka rezultuar një pjesëmarrje jashtëzakonisht e madhe dhe me sukses është përfunduar testi PISA. Siç e dini, kur kemi njoftuar se fillimisht që do të filloj më datë 11 prill dhe do të përfundoj më 5 maj. Kjo periudhë ka qenë e planifikuar deri më 5 maj duke pasur parasysh se mund të ketë një dështim, mund të ketë ripërsëritje të testit në ndonjë komunë. Por, vërtet nuk ka pasur nevojë që të ketë përsëritje fare dhe ka rezultuar që sot të përmbyllet testi PISA që unë pres shumë që ky test të jetë një test shumë më i mirë sesa që ka qenë në të kaluarën. Si dhe, do të na jep shpresë dhe do të na shton përgjegjësinë që tutje të punojmë edhe më shumë për ndryshimin e cilësisë së arsimit”, tha ministri.

Ndërsa, nënkryetari i komunës së Drenasit, Gani Sylaj, tha se pret që në këtë testim të arrihen rezultate më të mira sesa në vitin 2015.

“Kemi bindjen se ky test do të jetë në një nivel cilësor më të lartë sesa që ka qenë testi paraprak”, tha Sylaj.

Se gjatë testit ka shkuar gjithçka mirë e konfirmon edhe drejtori i shkollës “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Valdet Istogu i cili potencoi se në bazë të përgatitjeve pret rezultate të mira.

“Testi PISA këtë vit në shkollën tonë ka përfunduar, ka përfunduar shumë me sukses duke e pasur parasysh edhe angazhimin e madh që ka bërë Ministria e Arsimit, koordinatorët e MASHT-it, por edhe koordinatorët komunal he të shkollave. Besoj që ky test ka me dhënë rezultate shumë të larta duke u bazuar në përgatitjet paraprake që janë bërë dhe në mbarëvajtjen që ka shkuar në mënyrën më të rregullt”, tha drejtori i shkollës.

Ndryshe, testimit ndërkombëtar PISA i janë nënshtruar 211 shkolla nga e gjithë Kosova dhe kanë marrë pjesë 5 mijë e 370 nxënës.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *