Lekaj në Sofje potencon projektin me Malin e Zi, tunelin 7 km të gjatë

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, në samitin për TENT mes vendeve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Sofje, ka treguar interesimin dhe angazhimin e Kosovës në përmbylljen e integrimit të vendit tonë në rrjetin rajonal të transportit, ku bëjnë pjesë korridori 6 dhe 7 dhe të cilat lidhen me korridoret evropiane.

Ai ka folur edhe për disa projekte të rëndësishme të infrastrukturës rrugore, sidomos për rëndësinë e definimit sa më të shpejtë të projekteve me Malin e Zi, siç është ai i tunelit që lidh Pejën me Rozhajën në gjatësi 7 kilometra, lidhjet hekurudhore Kosovë-Mali i Zi dhe fillimin e punimeve në ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë.

Lekaj i ka njoftuar të pranishmit edhe për projektin e R7 me Morinën, i cili tashmë ka përfunduar dhe po shfrytëzohet nga transportuesit e mallrave dhe nga qytetarët, kurse rruga R6 e cila e lidh Kosovën me Maqedoninë e që pritet të përfundojë në fund të këtij viti, do të ketë ndikim pozitiv në ekonomitë dhe qarkullimin e qytetarëve të të dyja vendeve.

Ministri Lekaj tha po ashtu se autostrada Prishtinë-Gjilan do të shërbejë edhe për t’u lidhur me korridoret 6, 7 dhe 10 që e lidhin Kosovën me Serbinë.